
Poetry collection · 99 poems
Eja Shpejt
"Eja Shpejt" is the first poetry collection by Ikbale Berisha Huduti, featuring 99 poems inspired by divine love, Islamic faith, the Ahl al-Bayt, love of country, justice, sorrow and humanism.
Through her verses, the author expresses her spiritual world and sensitivity to human suffering, weaving together longing, love and hope for a more just and humane world.
Through her verses, the author expresses her spiritual world and sensitivity to human suffering, weaving together longing, love and hope for a more just and humane world.
Foreword — Fehmi Maliqi
Të nderuar lexues, sidomos ju dashamirës të poezisë!
Vepra që keni në dorë është libri i parë me poezi i shkruar nga znj. Ikbale Berisha Huduti.
Ai është një libër poetik, me poezi të shkruara nga autorja ndër vite, por për arsye të ndryshme nuk arriti dot të botohej deri më sot.
Titulli i kësaj përmbledhjeje poetike të saj u titullua "Eja shpejt", duke u marrë nga titulli i një prej poezive të autores, titulli i plotë i së cilës është "Eja shpejt Imam Mehdi".
Shumica e poezive nga 99 poezi të botuara në këtë përmbledhje poetike të saj, që shpresojmë të pasojë me krijimtari të tjera poetike dhe letrare, janë përgjithësisht të natyrës fetare-shpirtërore. Por, gjithashtu, nuk mungojnë as poezitë me motive atdhetare, si p.sh. poezia "O moj Serbi", me motive shoqërore si p.sh. poezia "8 marsi" dhe "Lakmia", me motive melankolike si p.sh. poezia "Jetimi" etj..
Autorja në shumë prej poezive të saj shpreh dashurinë hyjnore, duke treguar anën e besimit të saj dhe shumicës së bashkëkombësve të saj, Islamit. Me këtë, ajo dëshiron që përmes poezisë të shprehë para lexuesit shqiptar se jeta në këtë botë është e varur tërësisht nga Krijuesi ynë, Allahu i Madhëruar.
Dinamika e jetës e shpërfaqur në kohën në të cilën po jetojmë ka reflektuar edhe në mënyrën e shprehjes letrare dhe të kodifikimit poetik të autores, të cilën ajo e shpreh në poezinë " Bota Makute":
"Të jetosh i pasur nuk është pasuri
Të jetosh komod nuk është harmoni
Pasuri është që të mundesh të shikosh në sy
Një krijesë të Allahut që rri përballë me ty"
Prandaj jeta, bota shpirtërore dhe misioni human e shoqëror brenda poezive nuk janë të lehta për t'u manifestuar e aq më pak për t'u organizuar dhe jetësuar brenda një qenësie të trazuar. Bota poetike e Ikbales mbase ka qenë një vend ku janë takuar të humburit brenda një individi: arti, dashuria hyjnore, misioni fetar dhe atdhedashuria. Për pasojë edhe takimi i tyre i ngjanë një takimi të përmalluarish me ç'rast rrëfenjat e tyre janë thënë herë me nxitim e herë me vrullin e papërmbajtshëm të së bukurës, dashurisë dhe të së mirës, prandaj edhe mangësia estetike e këtij takimi është pjesë e pandashme e këtij kodi të ligjërimit poetik, i cili në momente kapërcen përtej konvencionit dhe "gramatikës" poetike.
Te poezia "Misioni i paharruar" autorja sikur na sugjeron se edhe ajo kishte skutën e saj ku strehohej dhe përmes meditimit sodiste botën që e rrethonte dhe ku përpiqet të perceptojë një realitet më të pranueshëm për të cilin duhen sakrifikuar energjitë:
"Mbas pak kohe vjen meleku
I drejtohet me këto fjalë:
"Lexo, mëso duke përmendur
Emrin e Zotit që të ka falë"
Ndërkaq te poezia "Hazreti Fatime" autorja synon të prekë majat e ndjesisë së një nëne dhe bije të përkryer, ndjenja këto të shprehura sa në mënyrë origjinale për nga origjina kuptimore, po aq edhe për nga perceptimi stilistik dhe mesazhi që përçojnë përtej kohës:
"Populli thotë nënë e bijë
Janë mu si arkë e dry
Por kësaj here babë e bijë
Allahu i bëri arkë e dry"
Dhembja për të dashurit është një manifestim tjetër i ndjesive më sublime krahas dashurisë, bukurisë dhe mirësisë. Në poezinë "Unë jam dhimbja e tij, ai është ilaçi im" autorja ka zgjedhur ngjarjen më tragjike për ta shprehur atë përmes çasteve nëpër të cilat po kalonte Zejnebja, mbesa e profetit Muhamed ( paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij) në logun e përgjakur të Qerbelasë, ku po vriteshin më të pafajshmit e njerëzimit prej djallëzisë më kriminale:
"Ti e shijove dhembjen kur gjyshi na la
Ti e shijove hidhërimin e nënës Zehra
Ti e shikove kokën me gjak, të babait Murteza
Ti e mbështolle me qefin, trupin e Hasanit vëlla"
Nëpërmjet kësaj ajo na bën të kuptojmë se gjenealogjia e sakrificës për liri e drejtësi patjetër do të ndeshet me gjenealogjinë e krimit dhe të kaosit. Në këtë frymë janë edhe poezitë përmes të cilave poetesha Ikbale ka shprehur gulçimet e një zëri të ndrydhur nën regjimin më të egër kolonialist të cilin Kosova dhe shqiptarët e përjetuan përgjatë tërë shekullit njëzetë nën Serbi.
Nëse poetika dhe poezia janë virtyt dhe model shprehës që fisnikërohen nga frymëzimi, modeli i vargut të përzgjedhur për ta shprehur atë mbase është fusha ku Ikbales i mbetet të punojë më tepër në të ardhmen. Gjithashtu radhitja dhe periodizimi tematik e stilistik në lëvrimin poetik të radhës pritet ta tejkalojnë vrullin shprehës të librit të parë të botuar prej saj.
Në fund autores i urojmë suksese për këtë libër duke shpresuar që të pritet sa më mirë nga lexuesi shqiptar.
Gjuhëtarë : Fehmi Maliqi
Eja shpejt Imam Mehdi
Po vritet pafajësia
Po shembet drejtësia
Çfarë faji ka njerëzimi
Musliman e krishterimi
Eja shpejt, eja shpejt, eja shpejt Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, besën ta kemi dhënë ne ty
Mbahu fort, o rob i Zotit
Mos të dhimbset pika e lotit
Gjaku yt do të jetë dëshmi
Shpejto ti, o Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, eja shpejt Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, besën ta kemi dhënë ne ty
Ligësia u trazua
Nga të parët që e gatuan
Menjëherë pas Pejgamberit
Shkelën besën edhe nderin
Eja shpejt, eja shpejt, eja shpejt Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, besën ta kemi dhanë ty
Mos ke dert, o Pejgamber
Ti shefa’at bëj mbi ne
Besimtarët e vërtetë
Vdekjen e kanë për nder të vet
Eja shpejt, eja shpejt, eja shpejt Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, besën ta kemi dhënë ne ty
Nuk ka faj aspak njerëzia
Fajin e ka historia
Që e shkroi Jezidiu
Do ta ndrisë Imam Mehdiu
Eja shpejt, eja shpejt, eja shpejt Imam Mehdi
Eja shpejt, eja shpejt, besën ta kemi dhënë ne ty
Selected poems
Poem titles
The poems and foreword are presented in their original language.
01ÇDO NATË PO TË PRES
Në perlën e shpirtit tim, unë Ty të kërkoj
Në damarin e zemrës sime, Ti më qarkullon
Ashku im ndaj Teje asnjëherë nuk mjafton
Sa më shumë që e kalis, ajo më forcon
Prandaj kërkoj njerëz që t'i dua për Ty
T'i bashkoj shkëndijat e shpirtit në fshehtësi
Të më shkëlqejë fytyra e mallëngjimit tim
Të të falë gjerdanin që e thur për Ty
Ditë e natë digjem e shkretë, o Zoti im
Se malli për të vërtetën më shkriu si qiri
Zemra ime fjalën Allah pandërprerë thërret
Por mua të mjerën as në gjumë as në zgjim nuk më gjet
Lësho shkëndijën o Zot pas hazreti Muhamedit
M'i hap rrugët e fshehtësisë ta shoh nurin e Xhennetit
E në Xhennet me pëshpëritje të të ndiej Ty
E pastaj nga kënaqësia të bëhem një me Ty
Me buzë të thara e pak të hapura si gonxhe trëndafili
Pëshpëris nga brendia e zemrës që të më shfaqesh Ti
Por unë po vajtoj me dënesë, pa shpresë
Dhe çdo natë po të pres...
Çdo natë po të pres...
Pres që një shkëndijë të më zbresësh
E të kënaqem Ty duke të shikuar
Të ta jap veten time
Të bësh me të çfarë të duash
Se vetëm atëherë ka për të pushuar
Brenga, shpresa, mallëngjimi
Atëherë do të vdesë amshimi
Dua të vdes para se të vdes
Këtë e kam vesë dhe shpresë
T'ia fal Krijuesit shkëndijën e shpirtit tim
Të jem e kënaqur në amshim
Qoftë ne Xhennet apo Xhehennem
Por, një gjë e di se edhe aty do të gjejë Ty
Se Ti je Krijuesi i gjithësisë
Brenga ime e vetme je Ti
Eja, afrohu e më merr në gji
Më shtrëngo e mos më lësho
Se unë këtë po kërkoj
Të vuaj
Të qaj
Të rënkoj
Të mallëngjehem
Të të dua me butësi
Të të shoh o Zoti im
Të vdes para se të vdes përgjithmonë
Por jo, jo pa Ty
02KUR TY NUK TË KAM
Eci e humbur në tokën Tënde
Si një drenushë e hutuar
Kërkoj gjithçka për t’u ngritur
Në horizontet e Tua
Kur Ty nuk të kam
Në humbje e humnerë unë jam
Kur Ty nuk të kam
Shpirtin tim errësirë e kam
Kur Ty nuk të kam
Jam e zbrazët në zemër e xhan
Kur Ty nuk të kam
E urrej veten pse e këtillë unë jam
Kur Ty nuk të kam
Në humbje të pa kthim unë jam
Kur Ty nuk të kam
Nuk e dua veten pse e këtillë jam
Kur Ty nuk të kam
Jam e zbrazët në shpirt, o xhan
Kur Ty nuk të kam
Më duket e zbehtë bota në çdo anë
Kur Ty nuk të kam
Si drenushë e humbur unë jam
Kur Ty nuk të kam
Në humnerë të pafund jam
Një ditë unë të gjeta
Në damarin e zemrës sime
Ty të kam o Perëndi
Ashk e mall ndiej për Ty
Zemra mbetet e sëmurë
Kur Ty nuk të kam
Vuajtjet mbesin të ngujuara
Kur Ty nuk të kam
Pa Ty asnjëherë
Nuk kam qetësinë nën çati
Vdekja është më e ëmbël
Se sa jeta pa Ty
Eca dhe lodrova nëpër tokë dhe nëpër qiell
Në çdo skutë Ty të kërkova
Si të humburin diamant
Kërkova ditë e natë të të njoh Ty
Në shtëpinë e Muhammedit nuri yt ishte aty
03SHKËNDIJË
Unë jam pjesë e dheut
Të cilit i është futur një shkëndijë nga shpirti,
Nga shpirti i Zotit
Shkëndijë!
A ke menduar ndonjëherë se çfarë është shkëndija?
Kurrë mos qoftë, tani ma thuaj
Por...
Lëre mos u mundo
Se e ndjeva në shpirt këtë shkëndijë
Që më rrit ndjenjën e dashurisë për Ty
O i Madhi Zot
Një e rrahur e çekanit
Dha shkëndijë nga metali
Një dëshirë e Perëndisë
Krijoi shpirtin e njerëzisë
O dritë e shpirtit!
Shumë herë të kap dëshpërimi
Të humb shpresa e gëzimi.
Unë Ty dua të të ndjej e të të njoh
Sepse pa të njohur Ty
Nuk mund ta njoh veten time
Sepse,
Drita jote është pjesë e shpirtit tim
O shkëndijë e shpirtit tim
E kot më duket që të rroj
Pa ngrohtësinë e Zotit tim
Nuk ia vlen që të frymoj
Dashuritë e kësaj bote
Shpirtin më kanë robëruar
Prandaj nuk kam më fuqi
Të të ndjej Ty
I Madhi Zoti im
04ASHKU PËR TY
Të ka mbrojtur i madhi Zot
Nga mëkatet e dunjasë
Të ka bërë i Madhi Zot
Mburrje, shembull për gjithë njerëzinë
Po të kisha mundur unë e shkreta
Që të marr një shkëndijë nga Ti
Ta vendos në kraharorin tim
E t'i them botës atë që ndiej
Atë që e kam mall në gji
05PËR TY
Për Ty e humbas mendjen
Hutohem
Ndiej diçka
Freski ndiej për dikë
Për Ty, i Madhi Zot
Sytë më turbullohen
I kaplon ujitja
Duart më shtrëngohen
Shpirti klithmë bëhet
Nuk kam guxim Ty të drejtohem
O i madhi Zot
Ndiej turp si një qenie e vogël
Të kërkojë diçka prej Teje
Por prapëseprapë e di që ky uni im kërkon
Ashkë e njohuri
Për Ty
06LULET E PRILLIT
O ju lule të shumëngjyrta
Të mbuluar me një freski joshëse pranverore
Pa më thoni kush ju ka krijuar?
Kush ju dha këtë bukuri?
Kush jua dha këtë aromë?
Kush ju dha këto ngjyra të bukura?
Që e zbukuroni botën tonë
E ti moj atmosferë kaltëroshe
Që e mbanë në lartësi
Diellin e verdhë si flori
Që në horizontet e tua
Fluturojnë zogjtë e gëzuar
Pse nuk më thua kush të ka krijuar?
Më dëgjoni vallë,
O ju lule
O ju zogj
O ti qiell kaltërosh
Pse s'më thua kush të ka krijuar?
Na krijoi Zoti, thanë lulet e prillit
Na krijoi Allahu, thanë zogjtë e qiellit
Na krijoi Perëndia, tha dielli me rrezet e tij
07ANIJA E SHPËTIMIT
Ne jemi jetë mbi të gjitha jetët
Dashuria e pafund për Krijuesin e pafund
E bënë këtë botë të pavlerë
Prandaj i them shpeshherë vetes
Vdis, vdis para se të vdesësh
Këtë e kam dëshirë edhe nder
Jeta, një anije në mes të oqeanit
Pa të cilën nuk mund të ekzistonte
Sepse ujin e ka jetë
Por dashuria e madhe ndaj tij
E bëri anijen madhështore
Duke u fundosur në errësirën oqeanore
Prandaj unë i them jetës
Jetës makute dhe të pavlerë
Je si hije mashtruese, sa më shumë që mundohem të të kap
Ti ikë nga unë si një fantazmë e mjerueshme
Prandaj kam vendosur që të iki prej teje
Ndërsa ti të më ndjekësh si hija gjithnjë
Që deshe s’deshe do të më kesh mik
Ndërsa anija e jetës sime, është një anije e vërtetë
Ajo është anija e profetit Muhammed
Kushdo që do të hipë në të do të shpëtojë e gëzohet përjetë
Shtator 2013
08BEGATITË E ZOTIT
O Zoti im i famshëm
Të gjitha të mirat na i dhe
Na dhe Kur'anin dhe Ehli Bejtin
Që janë udhëzim për të gjithë ne
Je i përhershëm dhe pa fillim
Jeta jote s'ka mbarim
Të do e gjithë njerëzia mbarë
O Dorëdhënësi ynë i madh
Ti na dhurove bekimin Tënd
Prandaj Ty të adhurojmë
Vetëm prej Teje falje kërkojmë
Për gabimet tona që ne bëjmë
I famshëm je Ti, o Zot
E madhe është mëshira Jote
I madh është emri Yt
Ja Allah, Ja Kerim, Ja Rahim
09DUA TË JETOJ E LIRË
Dua të jetoj e lirë, dhe me dashuri për Ty
Arsyeja e krijimit tim, më jep gjallëri
Të dorëzohem tërësisht Ty, o i Madhi Perëndi
Të jem mirënjohëse ndaj Teje, këtë e kam lakmi.
Dua të jetoj e lirë, por jo pa dashuri për Ty
Se dashuria ndaj Madhërisë Tënde, më jep varësi tek Ti
Vuaj të jem pjesë e Jotja, duke t'u drejtuar Ty
Pastaj të jem shërbëtore e denjë, dhe të kënaqem në shumësi.
10DY GLLËNJKA
Dy gllënjka uji i kam në sytë e mi
Që shikojnë botën ku jetoj tani
Dy duar të njoma si pambuku i ri
Ledhatojnë e kënaqen me plot dashuri.
Mirësitë që i dha Zoti
Çdo njeri s'i meriton
Këto janë amanete të shenjta
Për ata që logjikojnë
Një trup me dy duar
Me dy këmbë e me dy sy
Një fytyrë me një gojë
Me dy veshë e dhëmbë inxhi
Të ka falur Zoti shpirtin
Nga shkëndija e shpirtit të Tij
E pastaj të ka udhëzuar
Me brengë e dashuri.
Por,
Ndonjëherë a ke menduar
Pse Allahu të ka krijuar
Pse Allahu të dha jetën
Pse shijon të mirën dhe të keqen
Pse ke ardhur, çfarë do të bësh
Nga erdhe, dhe nga do të shkosh
E ke pyetur veten tënde, pse duhet të adhurojmë
Mos ka nevojë Zoti për ne, apo ndoshta ne për Të
Shumë mirë Zoti na ka treguar
Xhin e njerëz paska krijuar
Na ka lërë një amanet
Që Atë ta adhurojmë me sinqeritet
Në moment kur adhuron
Allahu ty të gradon
Me brengën që tregon për ty
Kjo është vërtet një mrekulli
Pastaj Zoti të drejtohet
Për hir të çiltërsisë
Prej sot je brenga Ime
Për të ardhmen tënde, o njeri
E shikon sa mirë qenka që Allahun të adhurosh
Për Të të dashurosh, e për Të ti të flijosh
Korrik 2006